Zaganjori drejt shkarkimit, dokumenti që rrëzon provat e reja

Zaganjori drejt shkarkimit, dokumenti që rrëzon provat e reja

Nga Adriatik Doci

Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vendosë në datën 17 korrik të këtij muaji për fatin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Kryegjyqtari u konfirmua me mundim në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, në 24 korrik 2018. Në 6 gusht të 2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi Komisionerit Publik të ankimonte vendimin e KPK, duke kërkuar shkarkimin e Zaganjorit nga detyra, me argumentin se ka shkelur rregullat dhe ligjet në fuqi në raport me pasurinë. Komisioneri Publik, në bazë të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Monitorimit shkarkimin të Zaganjorit, për shkak të pasaktësive në deklarimin e pasurisë, kontratave fiktive, mospagimin e taksave, mosjustifikimin e shpenzimeve me të ardhura të ligjshme etj. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Zaganjori ka paraqitur pranë Kolegjit të Apelimit 23 prova të reja, për justifikimin e pasurisë. Shqiptarja.com publikon 23 provat e pretenduara nga Zaganjori si dhe një dokument të fundit të Komisionerit Publik, i cili i hedh poshtë të gjitha provat në fjalë të kryegjyqtarit, me argumentin se nuk sjellin asnjë fakt dhe rrethanë të re. Zaganjori ka depozituar pranë KPA si prova të re deklarata noteriale, kontrata sipërmarrjeje, fotografi objektesh, vërtetime pagesash etj. Por, sipas Komisionerit prapësimet e subjektit të rivlerësimit nuk rezulton të kenë ndryshuar asnjë rrethanë. Në këto kushte, Komisioneri i qëndron kërkesës për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Rrëzimi i provave

Zaganjori ka paraqitur një deklaratë noteriale të 4 bashkëpronarëve lidhur me ndërtimin e një godine në vitin 1997. Në vlerësimin e Komisionerit Publik, kjo deklaratë noteriale e paraqitur nga subjekti gjatë kryerjes së procesit të rivlerësimit në Kolegj, nuk sjell ndonjë risi dhe nuk pasqyron ndonjë fakt/rrethanë juridike, që nuk ishte deklaruar më parë nga subjekti i rivlerësimit gjatë hetimit administrativ të Komisionit, fakte këto, të cilat Komisioneri Publik i ka shqyrtuar në ngritjen e këtij ankimi, duke i konsideruar të nivelit deklarativ. Për provën e dytë, kontratën e sipërmarrjes, Komisioneri çmon se Zaganjori nuk ka paraqitur asnjë provë, akt apo prezantuar ndonjë rrethanë të re juridike në lidhje me vlerën e paguar për ndërtimin e godinës, subjektet që kanë paguar për ndërtimin e godinës; mënyrën e pagesës së vlerës së punimeve; preventivë, fatura, situacione apo çdo lloj akti tjetër për të vërtetuar deklarimet. Për provën e tretë, kontratën me KESH, Komisioneri thotë se është një dokument i paraqitur edhe më parë nga subjekti i rivlerësimit gjatë hetimit administrativ të Komisionit. Subjekti ka paraqitur 2 fotografi si provë të katërt, të cilat, në këndvështrim të Komisionerit Publik, janë fakte që nuk provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Sa i takon provës pesë, Komisioneri thekon se dokumentacioni i paraqitur nga subjekti nuk provon shlyerjen e detyrimeve tatimore për gjithë periudhën 2005 dhe 2006, për të ardhurat e deklaruara në shumat 4,800.00 USD dhe 2,160.00 euro. Për vërtetimet e pagesës nga Instituti…/Gjermani (me vulë apostile) të paraqitura nga Zaganjori, Komisioneri thekson se nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion/provë mbi shpenzimet e jetesës për kohën, nivelin e kursimeve të realizuara nga këto të ardhura apo mënyrën e depozitimit të këtyre kursimeve në sistemin bankar.

Konkluzioni

Në përfundim të analizës së provave/akteve të paraqitura Zaganjori, Komisioneri Publik vlerëson se provat e paraqitura nga subjekti nuk pasqyrojnë ndonjë vlerë të shtuar lidhur me provueshmërinë e fakteve për të cilat është ngritur ankimi, pasi subjekti nuk ka mundur të provojë me vlerën e investimit të bërë në këtë objekt, mënyrën e pagesës, si dhe nuk ka provuar pagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat e realizuara nga qiraja për periudhën 1997-1998, periudhë në të cilën deklarohet se të ardhurat nga qiraja kanë shërbyer si burim krijimi të këtyre pasurive. “Subjekti nuk ka provuar burimin e ligjshëm të kursimeve të deklaruara, të përdorura për krijimin e pasurive si më sipër analizuar (të dërguara nga Gjermania), si dhe lidhur me këto kursime të pretenduara, mbetet e paprovuar mënyra e dërgimit të tyre në Shqipëri, në përputhje me kërkesat e udhëzimit nr. 4095/2016, të Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së, lidhur me mënyrën e transferimit të vlerave monetare nga jashtë vendit”, thuhet në dokument.

Apartamenti në Durrës

Sipas Komisionerit Publik, vërtetohet se Zaganjori ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin pasurisë apartament në plazh, Durrës, përderisa nuk konfirmohet tërheqja e shumës prej 16,000 USD nga llogaria bankare, sipas deklarimeve të vetë subjektit. Gjithashtu, Komisioneri Publik shprehet se Zaganjori nuk ka paraqitur asnjë provë/dokumentacion justifikues ligjor për të provuar kostot/shpenzimet e shkollimit dhe jetesës për periudhën 5-vjeçare, 2008-2013, në Mbretërinë e Bashkuar.

Provat

Shqiptarja.com publikon 23 provat e pretenduara nga Zaganjori si dhe një dokument të Komisionerit Publik, i cili i hedh poshtë të gjitha provat në fjalë të kryegjyqtarit, me argumentin se nuk sjellin asnjë fakt dhe rrethanë të re.

Komisioneri Publik

Sipas Komisionerit Publik prapësimet e subjektit të rivlerësimit nuk rezulton të kenë ndryshuar asnjë rrethanë. Në këto kushte, Komisioneri i qëndron kërkesës për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

23 provat e pretenduara nga Zaganjori

1. Deklaratë noteriale të 4 bashkëpronarëve dhe bashkëshortëve të tyre, lidhur me ndërtimin dhe administrimin e godinës së ndërtuar së bashku në vitin 1997. Kontratë e sipërmarrjes, lidhur në gusht 1997.

2. Kontratë e sipërmarrjes, e njësuar me origjinalin nga noteri, për ndërtimin e banesës pesëkatëshe, Tiranë, mes palëve: Familjet…. të përfaqësuara nga znj… nga njëra anë, dhe firmës private… sh.p.k., me qendër Tiranë, përfaqësuar nga presidenti i saj z….

3. Kontratë e noterizuar ndërmjet subjektit të rivlerësimit me filialin elektrik, dhjetor 1997, për furnizimin e apartamentit të tij në godinën e re me energji elektrike

4. Dy fotografi të noterizuara të vitit 1998 dhe 1999, të godinës dhe ballkonit.

5. Deklaratë e administratorit të shoqërisë… sh.p.k., për pagesën e tatimit në burim për qiratë e vitit 2005-2006.

6. Vërtetimet e pagesës nga Instituti…/Gjermani (me vulë apostile).

7. Vërtetim punësimi nga Fakulteti i Drejtësisë të UT-së, për periudhën 1981-1992 dhe 1999-2003.

8. Vërtetim pagese nga Fakulteti i Drejtësisë të UT-së për periudhën 1991-1992.

9. Vërtetim pagese nga Fakulteti i Drejtësisë të UT-së për periudhën 2009.

10. Vërtetim pagese nga Shkolla e Magjistraturës për periudhën 2000-2002.

11. Vërtetim page nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitet 1992-1997.

12. Lëvizjet e llogarisë pranë … Bank.

13. Vërtetim nga ISSH-ja për bashkëshorten.

14. Vërtetim punësimi për bashkëshorten në vitet 1989-1992.

15. Libreza e punës së bashkëshortes me shënimet përkatëse nga viti 1989.

16. Vërtetim për qiranë mujore në konvikt studentor, në vitet 2014 – 2017, të djalit në Gjermani.

17. Vërtetim për qiranë mujore në banesë, për vitet 2017 e vijim, të djalit në Gjermani.

18. Vërtetim për pagesat semestrale universitare të djalit.

19. Vërtetim bankar për llogarinë e djalit në vitin 2014.

20. Vërtetim nga Banka.. ku thuhet se Gjykata e Lartë nuk ka kartë krediti, por vetëm

llogari buxhetore.

21. Vërtetim nga Gjykata e Lartë, ku vërtetohet se ky institucion nuk ka disponuar asnjëherë kartë krediti.

22. Katër vërtetime për përdorimin e kartës personale në emër të institucionit Gjykata e Lartë.

23. Dy vërtetime nga Fondacioni …., ku vërtetohet se shpenzimet e dy aktiviteteve janë

mbuluar prej tyre.

Arsyet sepse duhet shkarkuar Zaganjori sipas Komisionerit Publik

1-Përfundimet e Komisionit nuk janë në pajtueshmëri me aktet dhe provat e administruara.

2-Për kriterin e kontrollit të pasurisë subjekti nuk arrin të përmbushë detyrimin ligjor të përcaktuar në nenin D, të aneksit të Kushtetutës.

3-Komisioneri pajtohet me Komisioni kur arsyeton se “…mospagimi i detyrimeve fiskale pa vërtetuar paligjshmërinë e pasurisë, nuk mund të shërbejë si shkak për dhënien e masave disiplinore…”.

4-Forcimi i sistemit fiskal të shtetit lidhet drejtpërdrejt me pagimin e taksave dhe tatimeve të vendosura me ligj të posaçëm.

5-Nuk ka bazë ligjore për të hequr nga objekti i kontrollit të pasurisë për shkelje të mundshme të kryera nga subjektet e rivlerësimit përgjatë viteve kur kanë bërë deklarimin periodik, pasi ato marrin vlerën e provës.

6-Të pambështetur po ashtu e gjejmë vlerësimin e Komisionit, kur konkludon se në rastin konkret ka hapësira/boshllëk ligjor, të cilin subjekti e ka shfrytëzuar në favorin e tij nëpërmjet kontratave fiktive. m

7-Shpjegimet e dhëna prej subjektit mbeten në nivel deklarativ, duke mos vërtetuar kështu të kundërtën e gjetjeve të Komisionit.

8-Konkluzioni përfundimtar i Komisionit se “…subjekti ka arritur të argumentojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të ardhurave të veta, si detyrim kryesor kushtetues i tij”, pas kalimit të barrës së provës, nuk i përgjigjet provave të administruara gjatë procesit të rivlerësimit.

9-Për Vetingun deklarohet: Apartament banimi me sipërfaqe 293 m2, me vleftë 5,800,000 lekë, ndërtuar në vitin 1997. Në 2003 deklarohet: Apartament banimi me sipërfaqe 200 m2 +87 m2 ballkon, me vleftë 7.400.000 lekë, ndërtuar në gusht 1997.

10-Për Vetingun deklarohet: Dyqan me sipërfaqe 70 m2, në të njëjtin pallat me banimin, me vleftë 1,400,000 lekë, ndërtuar në vitin 1997. Në 2003 deklarohet: Bibliotekë me sipërfaqe 70 m2, në të njëjtin pallat me apartamentin, me vleftë 1,800.000 lekë.

11-Për Vetingun deklarohet: Bodrum me sipërfaqe 65 m2, në të njëjtin pallat me banimin, me vlerë 800,000 lekë. Në 2003 deklarohet: Bodrum me sipërfaqe 70 m2, në të njëjtin pallat me apartamentin, me vleftë 1,500,000 lekë.

12-Për Vetingun deklarohet: Zyrë me sipërfaqe 15 m2 në të njëjtin pallat me banimin, me vlerë 400,000 lekë. Në 2003 deklarohet: Zyrë me sipërfaqe 20 m2 në të njëjtin pallat me apartamentin, me vleftë 1,500,000 lekë.

13-Për qiratë e deklaruara për periudhën 2001 – 2003, subjekti ka paraqitur dokumentacion për të provuar pagesën e tatimit mbi të ardhurat e përfituara vetëm për vitin 2002.

14-Për qiratë e deklaruara për periudhën për vitet 2005 – 2006, subjekti paguar detyrimeve tatimore vetëm për vitin 2006.

15-Për shkollimin e të birit në Angli, në deklaratën vjetore të interesave privatë të vitit 2010, subjekti deklaron pagesën në shumën 12.500 paund. Ndërkohë, gjatë hetimit administrativ, subjekti rezulton të ketë ndryshuar vlerën e deklaruar në shumën prej 17.386 paund.

16-Në vitin 2011, subjekti ka deklaruar pagesën për shkollimin e të birit në shumën 13.200 paund. Në përgjigjet e pyetësorëve të datës 1 mars 2018, deklaron si shpenzim për vitin 2011 në shumën prej 20.565 paund.

17-Nga analiza financiare, rezulton se subjekti nuk mbulon me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet vjetore për vitet 2011, 2012 dhe 2014.

m.v./Shqiptarja.com

COMMENTS