“VOA” vë Ilir Metën me shpatulla pas murit: Akuza se bashkëshortja e tij po mbron zyrtarët e korruptuar të LSI, presidenti sulmon qeverinë

“VOA” vë Ilir Metën me shpatulla pas murit: Akuza se bashkëshortja e tij po mbron zyrtarët e korruptuar të LSI, presidenti sulmon qeverinë

“Zëri i Amerikës” ka vënë dje me shpatulla pas murit presidentin Ilir Meta. Gjatë një interviste ai u pyet për aktualitetin politik dhe për skandalin që ka shpërthyer në Ministrinë e Drejtësisë, ku janë vënë nën hetim disa ish-zyrtarë të LSI. Gazetari Arben Xhixho i bëri një pyetje tepër sfiduese presidentit, duke i thënë se Monika Kryemadhi po sulmon qeverinë dhe ka marrë në mbrojtje të akuzuarit e lidhur me LSI. Po ashtu ai tha se politikanët shqiptarë e luftojnë korrupsionin vetëm me fjalë. “Në teori të gjithë politikanët i japin mbështetje me zë të lartë luftës ndaj korrupsionit, por duket se kemi të bëjmë më shumë me një lloj retorike.

Po të shohim reagimin e qeverisë ndaj rasteve që ka nxjerrë në pah media për korrupsionin, kemi vënë re një lloj shfajësimi ose deri diku një lloj marrje në mbrojtje të personave që janë të akuzuar. Po të njëjtën gjë vumë re pardje me opozitën. Në një përplasje që pati me ministren e Drejtësisë, pasi ministria e Drejtësisë arrestoi dhe po ndiqen penalisht disa persona që kanë qenë zyrtarë të LSI-së më parë për disa shkelje në këtë ministri, kryetarja e LSI-së goditi ministren e drejtësisë dhe i mori në mbrojtje këta njerëz. Madje nxori edhe emrin tuaj; deri tani, tha, nuk e kam nxjerrë emrin e ministres së Drejtësisë, pasi ajo ka lidhje familjare me ju. Zonja Kryemadhi kështu u shpreh. Si iu duken ju këto komente? A janë këto sinjale të qarta që politikanët duhet të nxjerrin, ndërkohë që vendi ka një problem serioz me korrupsionin?”, pyeti gazetari i VOA.

Ndërsa Meta nga ana e tij u mundua të distancohej, duke sulmuar qeverinë se është ajo që shkel ligjet dhe Kushtetutën. Sipas tij shkelje flagrante ishte nisma për uljen e dividentit me efekt prapaveprues. “Në kuadër të reformës në drejtësi duhet të kishte një frenim, duhet të kishte një kujdes më të madh në respektimin e ligjit dhe të Kushtetutës, duhet të kishte një reagim më të shpejtë ndaj rasteve të qarta dhe ndaj rasteve publike. Unë përshëndes çdo procedim, që bëhet ndaj kujtdo, qofshin edhe raste të tilla si ajo që ka ndodhur në ministrinë e drejtësisë ditët e fundit sipas këtij varianti që ju po shprehni.

Megjithatë ka disa çështje që janë shumë madhore, sepse çështje të tilla padyshim që ka dhe do të ketë. Sepse çdo ditë ka prokurime dhe mund të ketë edhe shkelje edhe korrupsion. Por ka disa raste ku është e rëndësishme të përqendrohemi më shumë për të vendosur vërtet besimin në funksionimin e shtetit, në sundimin e ligjit”, tha Meta.

Meta sfidon Ramën

Dje Meta u pyet edhe për sherrin me Ramën për Gent Cakajn, ndërsa e bëri të qartë se zv/ministri nuk duhet të angazhohet në asnjë marrëveshje ndërkombëtare. I pyetur për negociatat me Greqinë, Meta tha se autorizimi që i dha Bushatit i kalon Ramës, dhe jo Cakajt. “Çështjen e marrëdhënieve me Greqinë e lidha thjesht me vendimin që është në fuqi të Gjykatës Kushtetuese për shkak të marrëveshjes së mëparshme, që u rrëzua pas kërkesës së Partisë Socialiste, i cili përcakton se cilat janë kompetencat e Presidentit dhe të çdo institucioni në fushën e politikës së jashtme për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Për të ardhur në thelbin e pyetjes tuaj, se nuk doja të lija një keqkuptim: Presidenti e ka shumë të qartë dhe autorizon vetëm ministrin e jashtëm, i cili në këtë rast është vet kryeministri, me kërkesën e tij, dhe ai quhet zoti Edi Rama”, tha ai.

Përplasje për gjeneral Dogjanin

Meta u ndal dhe të një tjetër çështje sensitive. Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar atij të shkarkojë nga detyra gjeneral Ylber Dogjanin, duke e akuzuar se ka përgjegjësi për vjedhjen në bazën e Pashalimanit. Por Meta dha dje sinjale se mund të mos e pranojë këtë kërkesë. “Nuk kam pasur mundësi të marr ndonjë vendim, për arsye se edhe nuk kam qenë në zyrë gjatë kësaj kohe, por megjithatë ekipi im po punon, por njëkohësisht na duhet të kemi një vlerësim më të plotë dhe më shterues për rastin në fjalë, pasi kemi edhe pretendimet nga ana e komandantit të Forcave Detare, i cili pretendon që ka paralajmëruar për pasojat apo rreziqet e një fenomeni të tillë, ka kërkuar të merren disa masa. Ne kemi kërkuar të shohim edhe vlerësimin e ministrisë, të inspektimit që është bërë dhe do të marrim vendimin më të drejtë dhe do ta bëjmë publik në mënyrën më transparente”, tha ai./Kliti TOPALLI

COMMENTS