Reagon ashpër Arian Galdini: A keni sy në ballë apo jo?! PD është bërë e gjitha partia e 2 a 3 familjeve

Reagon ashpër Arian Galdini: A keni sy në ballë apo jo?! PD është bërë e gjitha partia e 2 a 3 familjeve

Kryetari i LDE Arian Galdini shprehet se nuk asnjë konspiracion, plan, axhendë apo shtysë politike, personale a partiake lidhur me solidarizimin me Rudina Hajdarin, deputetja që nuk dorëzoi mandatin.

Sipas tij ata që mallkojnë dhe e quajnë tradhtare Hajdarin harrojnë që ajo është e bija e Azem Hajdarit.

Postimi i plotë

Ende më vijnë mesazhe e komente të çuditshme dhe këmbëngulëse me argumenta si tulla parafabrikatë me anë të të cilave më shajnë mua pse unë kam shprehur mbështetjen dhe solidaritetin tim për Rudina Hajdarin.

Ndaj e ndjej si detyrim qytetar dhe politik që tjua ripërsëris edhe njëherë se përveçse ndonjë përshëndetje që mund të kem pas shkëmbyer me të kur ka qenë e vogël, kur unë shkoja në shtëpinë e familjes Hajdari për të takuar Azem Hajdarin, kurrë më pas nuk e kam takuar e as njohur Rudinën.

Pra asnjë konspiracion, plan, axhende apo shtysë politike, personale a partiake nuk kam unë në këtë solidarizim me Rudinën.

Shumë gjëra i kam sqaruar edhe më parë por sot do tu përgjigjem nja dy argumentave bazë që po qarkullohen si akull me ujë kanali për tu servirur në gota luksi ku paritë e korruptuara të vendit pijnë whiskey të kohës së Churchillit.

1. Këta thonë se vendi në parti apo mandati i deputetit nuk trashëgohet. Pra thonë se fakti që Rudina Hajdari është e bija e Azem Hajdarit, nuk i jep asaj të drejtën të jetë as në PD e as deputete.
Parimisht dakort.

Por llogari për këtë nuk më kërkohet as mua dhe as Rudinës.

Llogari u kërkohet atyre që e futën në listë.

Janë ata që ngase çdo 12 shtator, çdo 8 dhjetor, çdo 20 shkurt dhe çdo 5 maj shkojnë e falen e përdëllehen tek shtëpia, monumenti dhe varri i Azemit, që e thirrën dhe e bënë deputete Rudinën.

Nuk e bëra unë deputete Rudinën.
Nuk u bë vetë deputete Rudina me llampën e Aladinit që i plotëson 3 dëshira.

E bënë ata, Lulzim Basha dhe Sali Berisha.

Dhe e bënë sepse është e bija e Azem Hajdarit.

Apo ata paskan të drejtë gjithmonë?

Kur të fusin në lista pse je i biri apo e bija e filanit, qenka punë e mirë.

Kur të shpallin tradhëtar a armik ata, fakti që je i biri a e bija e filanit, qenka punë e parëndësishme.

Jo or jo.

Ndajeni mendjen.

Llogari kërkojuni atyre, jo mua e as Rudinës.

E sa për çështjen e gjakut, pash Zotin hapini sytë.

Ku e kujt i flisni?

Po PD është bërë e gjitha Partia e 2 a 3 familjeve.

A keni sy në ballë a jo?

Pastaj ju që mallkoni e shpallni tradhëtare Rudinën, e injoroni faktin se ajo është e bija e Azem Hajdarit, jeni po të njëjtët që keni heronj dhëndrin e ish Kryetarit, të birin e ish gazetarit të Zërit të Popullit dhe atë tigrin të birin i Kryekomunarit andej nga Korça.

Hapini sytë e shiheni realitetin në sy.

E vërteta dhemb por duhet thënë sepse na çliron të gjithëve.

2. Më thonë: Po na e bëni heroinë Rudina Hajdarin.
Jo or jo.
Jeni ju që po e shpallni armike e tradhëtare. Unë thjesht po e mbështes atë vajzë të re dhe po solidarizohem me të.

Asnjë heroizëm nuk shoh unë tek ajo.

Ajo thjesht ka bërë një akt guximtar, qytetar, demokratik dhe patriotik. Kaq.

Asnjë të jashtëzakonshme nuk ka bërë.

Ka vendosur krejt normalisht të jetë e përgjegjshme e të kryejë detyrën e saj.

Nëse deri tani ajo nuk ka pasur asnjë meritë e asnjë kontribut për të qenë deputete, prej këtij momenti ajo ka vendosur me kurajo të marë përgjegjësi politike dhe publike për ta merituar ose jo vijimësinë e saj politike.
Kaq e thjeshtë është.

Jeni ju që e linçoni e shpallni tradhëtare që ngase ju janë verbuar sytë dhe gjykimi shihni i armiq e tradhëtarë o heronj.

Ajo vajzë nuk është as armike, as tradhëtare e as heroinë.

Ajo vajzë po ngre krye dhe po kërkon ta mbrojë e meritojë vetë me vendimet e aktet e saj politike qëndrimin ose jo në politikë.

3. Më thonë se vendimi ishte politik sipas statutit të PD dhe kush nuk zbaton vendimin përjashtohet ose vetëpërjashtohet.

Hej, bëhuni të vërtetë.

Ku vendimi? Cili vendim?

Po ku ka vendime unanime në demokraci?

Ku e keni dëgjuar e parë?

Pastaj, ku është demokraciane brendshme në parti që vendimet të jenë barazvlefshmërisht të zbatueshme për të gjithë?

A e keni llogaritur se sa herë e ka shkelur statutin e partisë Lulzim Basha me Sali Berishën?

Kthehuni në histori e shihni e kujtohuni?

Po ku e kur kanë pyetur ata për statut?

Apo ata kanë të drejtë ta shkelin statutin, ndërsa të tjerët jo?

Jemi bërë si tek Ferma e Kafshëve ku të gjithë janë të barabartë përveç derrave.

Mjaft me gjepura e mashtrime. Mjaft.

E vërteta është zhgënjyese.

Ju që jeni duke rendur e gulçuar për të sharë Rudina Hajdarin, Arian Galdinin e të tjerë, nuk keni fare asnjë bazament realist moral në atë që thoni e bëni.

Thjesht ju janë errur sytë e po rreshtoheni përsëri në krah të të Fortëve të përhershëm me shpresën se do kapni ndonjë gjë.

Prandaj, shkoni dhe aktroni sikur besoni dhe doni ata, është e tepërt që ta konsumoni aktrimin tuaj për tu dukur fanatikë të atyre duke na sharë e mallkuar neve.

Edhe diçka të fundit.

Ky akt aktrimi është i fundit.

Do të humbisni.

Jua them sikurse jua kam thënë haptazi që ditën e parë që zgjodhët strategjinë e 16 shkurtit e në vijim.

Do humbisni keqazi.

Dhe i gjithë ky afsh mllefi dhe urrejtjeje e fanatizmi do ju shkojë kot e bosh.

E megjithatë, po jua përsëris.

Në ndodhtë çudia dhe e pamundura që ju të fitoni kështu me këtë udhë e strategji që keni zgjedhur, do gëzohem për ju, jo për Shqipërinë.

Në fitofshi kështu, ta gëzoni.

E gjithë fitorja është e juaja dhe vetëm e juaja.

Ndaj mos u bëni merak për mua e askënd nga ne, sepse unë së paku nuk kam për tju trokitur kurrë në derë për të ndarë a marrë ndonjë pjesë nga kjo lloj fitoreje.

Nuk do më shihni askund mes fitores suaj, në fitofshi kështu.

Ama, kur të humbisni, kur të thyeni turinjtë, mos harroni.

Unë dhe ne do të jemi këtu për të ndarë si gjithmonë humbjet dhe sakrificat me ju.

Unë në asnjë ditë të jetës sime nuk kam qenë as do të jem i majtë a me të majtën.

Do tju pres këtu opozitar, në qëndresë, në korsinë time, vendosmërisht i djathtë.

Do tju pres që kur të humbisni të ribashkohemi me integritet e dinjitet e të ringrihemi për të fituar.

Shpresa nuk do të vdesë me aktin tuaj të fundit të aktrimit.

Shpresa është në veprim.

COMMENTS