Përpjekje për një protestë kundër Perëndimit më 8 Dhjetor!

Përpjekje për një protestë kundër Perëndimit më 8 Dhjetor!

Nga Mero Baze

29 vite pas 8 Dhjetorit, kur studentët u ngritën dhe ndryshuan historinë e vendit duke thirrur “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, Ilir Meta i cili është në zemër të një konflikti me Bashkimin Europian, OSBE dhe SHBA, po tenton ta bëjë qesharake këtë datë, dhe ta kthejë në një tubim kundër Perëndimit.

Presidenti në largim, i cili ka javë të tëra që po polemizon me SHBA dhe kancelaritë e tjera Perëndimore, duke u tundur kartën e sovranitetit, po tenton të kthejë 8 Dhjetorin, nga një ditë qëndrese pro Perëndimit, në një ditë pendese kundër Perëndimit.

Njoftimi i tij i sotëm se, më 8 Dhjetor do të thërras shqiptarët në një tubim në Qytetin Studenti, është një përsëritje komike e 8 Dhjetorit 1990.

Më 8 Dhjetor 1990 studentët u ngritën për të thyer izolimin e Shqipërisë dhe “sovranititetin” e Komunizmit dhe për t’iu bashkuar Europës.

Më 8 Dhjetor 2019, Ilir Meta po kërkon të mbledhë një “çetë dumbabiste”, që të kërkojë ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë nga Europa dhe SHBA dhe luftë kundër tyre.

Beteja e tij e gjatë dhe e pashpresë me Perëndimin gjatë mujave të fundit, dhe në fakt prej tre viteve të fundit, qyshkurse u miratua Reforma në Drejtësi, po tenton tani të institucionalizohet në një parti politike anti-Perëndimore, që për ironi të fatit po tenton të përdorë datën dhe simbolet e lëvizjes studentore më pro-Perëndimore në historinë e Shqipërisë.

Nuk është problem pse Ilir Meta po tenton të mbledhë njerëz kundër Perëndimit në Shqipëri. Edhe pse qesharake, nuk është problem, as data dhe vendi që po keqpërdor. Problemi është se pushteti i Ilir Metës dhe modeli i tij politik, janë një dëshpërim i madh për idealistët e 8 Dhjetorit, janë objektivi që ata nuk deshën ta arrinin, janë fundi ku ata nuk deshën ta shikojnë kurrë Shqipërinë.

Nëse studentët e Dhjetorit 1990 ndjehen në një mision të papërfunduar, ndjehen pikërisht për shkak të modelit të Ilir Metës në politikë, për shkak të një Shqipërie pa drejtësi dhe një drejtësie të korruptuar, për shkak të një qeverisje nepotike dhe klanore, për shkak të një Shqipërie të padrejtë, të ndarë dhe të keqqeverisur.

Ndaj 8 Dhjetori është një datë për ata që u ka vajtur në majë të hundës, mes të tjerash dhe nga Ilir Meta, dhe jo një date për “Rilindje” të Ilir Metës.

29 vite më pas, Ilir Meta po kërkon t’i mbyllë dyert e shtëpisë Europës dhe SHBA, po kërkon të mobilizojë shqiptarët kundër atyre që “ndërhynë në punët e brendshme të Shqipërisë”, në përpjekje për të testuar një forcë të re politike anti-Perëndimore në Shqipëri.

Udhë e mbarë i qoftë, por ata që më 8 Dhjetor bërtitën sa kishin fuqi “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nuk kanë fuqi dhe as ndonjë pikë dëshire tani të bërtasin tani, “E duam Europën, si Ilir Meta”. Se siç ka thënë dhe Marksi, të cilit Ilir Meta i beson, “historia në fillim është tragjike, por përsëritja e saj është komike…!”