Nisin hetimet për babain e ministrit shqiptar që po ndërton një lagje super luksoze me 57 vila?

Nisin hetimet për babain e ministrit shqiptar që po ndërton një lagje super luksoze me 57 vila?

Ndërtimi i lagjes super luksoze në Bellopojë të Pejës, nga babai dhe familjarë të ministrit të Inovacionit të Kosovës, Besim Beqajt, duket se nuk do të kalojë pa hyrë në “lupën” shtetit.

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka nisur ta trajtojë këtë rast, pasi ka dyshime se si mund të bëhet ndërtimi i saj, kur pronari Jakup Beqaj nga deklarimet ndër vite nuk ka pasur në llogarinë bankare më shumë se 22 mijë euro para të gatshme.

Kjo lagje super luksoze në Bellopojë të Pejës ka filluar të marrë formë. Plani i familjes Beqaj është që të ndërtojë 57 shtëpi luksoze, ndërkohë deri më tani janë ndërtuar vetëm gjysma.

E ndërtimi i kësaj lagjeje është duke u parë me dyshime edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).

Në një përgjigje për ‘FaktePlus’ zyrtarë nga ky institucion kanë treguar se tashmë janë duke u marrë me këtë çështje.

Siç kanë thënë në Agjencinë Kundër Korrupsionit lënda ndaj “Peja Hill” është duke u trajtuar.

“Ju njoftojmë se rasti në fjalë është pranuar dhe është në procedurë, pra duke u trajtuar”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Kujtojmë edhe një herë se pronarë të kësaj lagjeje janë Jakup Beqaj, babai i ministrit aktual Besim Beqaj, ndërsa si pronar figuron edhe një familjar tjetër i tij që e ka emrin Veton Beqaj, e i cili është një djalë i ri që është diplomuar në mars të vitit 2016.

COMMENTS