Jari shpjegon rëndësinë që ka rivendosja e vizave me Hollandën

Jari shpjegon rëndësinë që ka rivendosja e vizave me Hollandën

Pas njoftimit që bëri Doktori, se Holanda ka votuar në Parlament për të rivendosur vizat me Shqipërinë, për shkak të kriminalitetit të lart të shqiptarëve atje, Jari vendosi të sqarojë demokratët, përse ky vendim ka rëndësi historike, dhe për këtë, ka meritë të veçantë Luli:

“Të dashur demokratë,

Jari ju sqaron!

Votimi nga Parlamenti holandez për rivendosje të vizave me Shqipërinë, është hallka e parë e një procesi administrativ që Luli ka inicuar në Holandë, kundër klikës së drogës dhe krimit në Shqipëri.

Kohët e fundit gangësterat e Edi Ramës në Holandë, ishin shtuar shumë, dhe ata shqetësonin dhe familjen e Lulit në Holandë.

Në një rast policia konstatoi se ata kishin thyer tre saksi lulesh në ballkonin e Lulit, duke u munduar të vjedhin shtëpinë, dhe një herë tjetër kishin ndotur bahçen pas shtëpisë, duke kryer aty nevojat personale.

Në kushtet kur tre nga katër anëtarë të familjes së Lulit janë qytetarë holandezë, me shumicë votash në shtëpi, gruaja dhe dy vajzat i kërkuan Lulit të ndikojë tek autoritetet holandeze për pakësimin e shqiptarëve në Holandë.

Në këtë rast, e vetmja masë efikase ishte rivendosja e vizave.

Pas kësaj, Luli i hyri punës seriozisht dhe brenda disa muajsh arriti të lobojë votimin në Parlament të fillimit të procesit të rivendosjes së vizave.

Ata që e shajnë Lulin pse ikën çdo fundjavë në Holandë, tani kanë rastin t’i kërkojnë ndjesë, pasi e kuptojnë mirë përse ka shkuar.

Pas këtij vendimi, pritet që Holanda të boshatiset nga bandat shqiptare dhe Luli të jetë më i qetë aty.

Qetësia e Lulit dhe familjes së tij, janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e revolucionit dhe garantimin e fitores sonë në zgjedhjet e ardhshme.

Ndaj, përveçse kjo masë diskretiton qeverinë e Edvin Ramës, nga ana tjetër, i krijon kushte më komode familjes holandeze që udhëheq partinë tonë.

Ky është fryti i parë i revolucionit që kemi nisur.

Të tjera na presin rrugës.

I juaji, Jari!”

COMMENTS