Ja përse vejushat shqiptare martoheshin natën!

Ja përse vejushat shqiptare martoheshin natën!

Në shoqërinë tradicionale shqiptare, martesa e parë konsiderohej ngjarje shumë e rëndësishme, jo vetëm për bashkëshortët, por edhe për familjet e fiset e tyre.

Një vlerësim i tillë shprehej në një fond mjaft të pasur krijimesh folklorike si: këngë, anekdoda, fjalë të urta etj.

Kanë qenë më të përhapura, pothuajse në të gjitha krahinat e hapësirës shqiptare në Ballkan këto proverba: “Fati i parë-lulja në ballë”, “Qorr e me një sy të isha, po gruan e parë ta kisha”, “Kurorë e parë-yll në ballë, kurorë e dytë-të dalin sytë, kurorë e tretë-të fut në dhetë”.

Këto konceptime për martesën e parë ndikonin që në shoqërinë tradicionale t’i kushtohej vëmendje e veçantë, jo vetëm përzgjedhjes së ndërsjellë të partnerëve, por edhe ceremonisë së dasmës që lidhte me kurorë martese një vajzë dhe një djal beqar.

Dasma zhvillohej si një spektakël. Numri i dasmorëve simbolikisht shprehte gjendjen e famijes që organizonte dasmën.

Në shumicën dërrmuese të rasteve, martesa e dytë lidhte me kurorë dy bashkëshorë të ve, por edhe të divorcuar, kjo e fundit pak më rrallë sepse në atë kohë numri i divorceve ka qenë i ulët.

Në shumicën e krahinave të Shqipërisë, dasma e dytë që lidhte me kurorë martese dy bashkëshortë të ve, përgjthësisht realizohej me shumë pak njerëz, më së shumti familjarë e të afërm.

Martesa e parë realizohej ditën ndërsa martesa e dytë, në shumicën e rasteve realizohej natën.

Pse në aleancë me errësirën?

Sipas mendësive të përhapura ndër banorët e Malësisë së Tetovës dhe të mjaft krahinave të tjera të hapësirës shqiptare, të vejat nuk mund të shkonin te burri ditën, por natën, pasi të kishte rënë terri i mbrëmjes ose para agimit, ende pa dalë drita, për të mos parë kurrgjë rreth e rrotull.

Kjo sepse besohej, sipas bestytnive, se gjithçka që shohin ato rreth e rrotull nuk zhvillohet. Sytë e gruas së ve duhej të shihnin sa më pak, mundësisht asgjë, sepse shikimi i tyre provokonte terslliqe e deri fatkeqësi.

Z.D “Lente të ndërveprimit simbolik”/Mapo.al

COMMENTS