Historia e trishtë e Kastriotit, burrit që i “humbi” gruaja në golem dhe e përqeshën të gjithë

Historia e trishtë e Kastriotit, burrit që i “humbi” gruaja në golem dhe e përqeshën të gjithë

I trembur, i paditur, i humbur mes ankthesh dhe njerezish të panjohur, Kastrioti kërkoi njeriun me të cilën ndan jetën, por të gjithë e qeshën.

Qeshjen me Kastriot Gjonaj e nisën si funksionarët që ishin në krye të detyrës, por edhe qytetarët që e komentuan në rrjetet sociale, raporton newsbomb.al.

Kastrioti ishte vertetë i trembur dhe mes një vendi që nuk dinte se nga t’ia niste për të kërkuar nënën e dy fëmijëve të tij. Bashkëshortja që tashmë ishte zhvendosur diku nëpër Golem si pasojë e një kaosi që ishte krijuar në Durrës kishte lënë pas, pa dashur, Kastriotin për t’ju përkushtuar dy fëmijëve të tyre.

I vogli i tyre është person me aftësi ndryshe që kishte marrë trajtim në qendren e zhvillimit ditor në Lezhë, ndërsa ata që e kanë parë nëpër shtëpi të lidhur e kuptojnë vështirësinë e këtyre dy prindërve. Kastriot Gjonaj është një person jo plotësisht i aftë, ndërsa bashkëshortja nuk ka mundur të jetë më shumë se një grua që i duhet të kujdeset për 3 burra, dy prej të cilëve me aftësi ndryshe, raporton newsbomb.al.

Kastrioti nuk doli rastësisht për ti kërkuar ndihmë kryeministrit, por edhe në pamje duket i traumatizuar dhe prerazi i shqetësuar për gruan e tij. Ajo ishte zhvendosur, ndërsa Kastrioti kishte qenë jashtë dhe vetëm kishte degjuar se grupi i personave që ndodheshin në një prej banesavve të shkatërruara ishte zhvendosur në Golem.

Emri i vendit ku ndodhej bashkëshortja ishte e panjohur për të, asnjë para për të shkuar atje dhe asnjë të njohur për ta shoqëruar, Kastrioti sheh si shpresë kryeministrin, por pa e ditur se ai do të bënte njeriun më të famshëm por për fat të keq vetëm për të qeshur me të.

Kastrioti kishte pak që ishte kthyer nga Franca, sigurisht nuk kishte mundur të qëndronte si azilant dhe ishte kthyer në fshatin ku jetonte, në Torovicë të Lezhës. Aty ka dhimbje për Kastriotin, pasi në oborrin e shtëpisë së tij në shtatorin e vitit që të humbën jetën të asfiksuar në pus vëllai dhe nipi i tij, raporton newsbomb.al.

Sigurisht për çdo kënd kjo është një tragjedi, e sigurisht edhe për Kastriotin ka qenë e tillë. Mes varfërisë, mungesës së punës, kush e do në punë një person më aftësi ndryshe, pamundësinë për të siguruar jetesën e familjes dhe ankthin e një fëmije të sëmurë çdo kush do të sëmurej.

Qëndrimi në bulevardin Gjergj Fishta të Lezhës me shpresën e ndonjë punë nuk kishte gjithmonë sukses, për të mos thënë suksesi ishte i rradhë. Me punët e rëndomta që mund të siguronte, dërgonte në shtëpi ndonjë kacidhe për të vijuar sërish e njëjta situatë.

Ai shkoi në Durrës tek e motra, por tërmeti i çorientoi të gjithë, por Kastriotin e stresoi dhe e bëri të mos ketë orientim. Motra dhe kunata që ndodheshin që të dyja në Durrës kishin synuar ta merrnin afër për të patur afër e ndihmuar. Nje qera modeste, e kjo për të ndihmuar Kastriotin, por termeti nuk pyeste për askend.

Në kushtet e një trauma që preku çdo banorë të Durrësit, bashkëshortja e Kastriotit pranon vendimin e personave që transportonin banorët drejt zonave më të sigurta dhe zhvendoset në Golem. Nuk ka kohë për të pyetur Kastriotin që nuk gjendej në shtëpi, ndërsa dy djemtë, njëri i sëmurë, kanë nevojë për trajtim. Ajo iku për të patur të sigurtë fëmijët, ndërsa Kastrioti nuk di se ku të kërkojë, raporton newsbomb.al.

Mes turmës ai shquan kryeministrin që e shesh si shpresë për të gjetur bashkshorten, por frika e tij merr edhe një goditje tjetër, atë të talljes dhe shpërfilljes. Kastrioti vetëm dëgjonte të qeshurat, ndërsa ende ishte i shqetësuar për bashkshorten dhe dy djemtë.

Kastrioti mund të ketë problemet e tij, por askush nuk duhet që të tallet. Edhe ai meriton pak vëmendje, të atyre që duhet të kujdesen për të gjithë, edhe për Kastriotin. Ai sot është harruar, sepse video virale tashmë u zhduk, por nuk është zhdukur problem i Kastriotit, problemi i fëmijëve tij dhe problemi i bashkshortes që sigurisht u bë objekt i përgojimit dhe fyerjes.