Gara për “FBI-në shqiptare” (BKH) hapet në janar: Emrat që përfliten dhe kush i përzgjedh

Gara për “FBI-në shqiptare” (BKH) hapet në janar: Emrat që përfliten dhe kush i përzgjedh

Prokuroria e Posaçme SPAK ka ngritur komisionin që do të vlerësojë kandidatët të cilët do garojnë për detyrën e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Një burim i sigurtë i tha gazetës Si eksluzivisht se komisioni vlerësues përbehet nga kryeprokurori i SPAK, Arben Kraja si dhe dy prokurorët e posaçëm Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra.

Megjithatë bëhet me dije se vota vendimtare për përgjedhjen është ajo e kreut të SPAK, kryeprokurorit Kraja. Njëkohësisht bëhet me dije se ende nuk është dorëzuar asnjë kandidaturë, pasi ende nuk janë hapur procedurat.

Ndërkohë burime të gazetës Si pranë prokurorisë Spak shtuan se 10 ditëshin e parë të janarit 2020, pasi të mbyllet rregullorja do të çelet gara për BKH. Megjithëse kushtet janë rigoroze pasi kandidati duhet të kete formim policor, apo si jurist. Por pritet që deri sa BKH të ketë drejtuesin e vet do të duhen disa muaj.

Sikurse edhe për rastin e garës për në SPAK, edhe për të qenë pjesë e BKH kushti i parë është dhënia e pëlqimit për të hequr dorë nga privatësia e për tu kontrolluar ata dhe familjarët e tyre, sikurse janë komunikimet telefonike apo edhe elektronike. Kjo ka bërë që disa emra ekspertësh shumë të mirë të policisë as mos ta diskutojnë përfshirjen në BKH pasi siç ata u shprehën për gazetën Si ” nuk ju duket e arsyeshme të kontrollohen edhe familjarët e tyre”.

Sidoqoftë, të tjerë pritet që veç dhënies së pëlqimit, të shfaqin interes për në BKH duke aplikuar online. Më tej komisioni Kraja, Dibra dhe Nakuçi do zhvillojnë intervistimin e garuesve në prani edhe të ndërkombëtarëve.

Por vendimtare për përzgjedhjen e BKH do jetë firma e kryeprokurorit Kraja si edhe certifikata e vettingut.

Pavarësisht kësaj burimet i thanë eksluzivisht gazetës Si se pritet që në garë veç kreut të Forcës së Ligjit, Artan Shkëmbi me shumë mundësi nuk përjashtohet as Gledis Nano, kreu i anti-terrorit apo edhe prokurorë që kanë spikatur gjatë karrierës së tyre.

Dhe që siç thuhet paraprakisht po e diskutojnë me miqtë e afërt për të qenë pjesë e BKH.

BKH do ketë rolin e “policisë së posaçme” të SPAK, thënë ndryshe të oficerëve të policisë gjyqësore dhe do hetojnë dosjet për llogari të SPAK.

Një nga kriterët për të qenë oficer i BKH do jetë edhe testi i poligrafit i sjellë në Shqipëri pak muaj më parë. Ndërkohë që nga 15 oficerë të krimeve të rënda që shërbenin në prokurorinë e krimeve të rënda ( e shkrirë tashmë), njëri prej tyre ka dhënë dorëheqjen nga detyra. “Kanë mbetur dhe 14 OPGJ të cilët do ushtrojnë kompetenca trazitore si “BKH”, derisa BKH të bëhet funksionale” – shpjegoi për gazetës Si një burim pranë Spak.

Por gazeta Si u interesua nëse këta oficerë do qëndrojnë në garë dhë mësoi se pritet që shumica e tyre në përfundim të periudhës tranzitore të heqin dorë nga gara dhe pretendimi për të qenë kandidatë për OPGj në BKH dhe shkak është jo vetëm poligrafi, por edhe Vetting-u ndaj tyre.