Fshirja e këngëve të festivalit nga YouTube, vjen njoftimi zyrtar i arsyes së këtij veprimi

Fshirja e këngëve të festivalit nga YouTube, vjen njoftimi zyrtar i arsyes së këtij veprimi

Fshirja e këngëve nga kanali zyrtar i YouTube vetëm pak ditë pas përfundimit të festivalit të 58-të të Këngës në RTSH, ishte e befasishme për të gjithë! Jo vetëm për protagonistët, artistët që kishin marrë mijëra e miliona shikimeve dhe pëlqime tek hitet e tyre prej ditës së parë të publikimit, por edhe për organizatorët dhe drejtuesit e këtij edicioni.

Por, dje ka ardhur edhe njoftimi zyrtar i RTSH-së, përmes të cilit bëhet e ditur arsyeja e heqjes së këngëve nga YouTube.

“Këngët e Festivalit të 58 të Këngës në RTSH, të cilat kanë qenë të publikuara në kanalin kryesor të RTSH në YouTube nuk janë hequr nga RTSH për arsye teknike, por YouTube ka mbyllur kanalin si pasojë e sulmeve të pandërprera të njëpasnjëshme të kryera nga Qendra “Suada” dhe agjencia “Albautor” ndaj shumë videove të këngëve nga festivalet e këngës në RTSH ndër vite, të publikuara në kanalin kryesor të RTSH në YouTube.

Qendra “Suada” në kundërshtim me ligjin dhe Agjencia “Albautor” në abuzim me kompetencat që ka dhënë ligji, kanë deklaruar pranë YouTube të drejta, të cilat zotërohen në formë ekskluzive nga RTSH.

RTSH është duke e ndjekur këtë çështje me shumë vëmendje dhe pas mbledhjes dhe administrimit të të gjitha provave, do të fillojë proceset gjyqësore kundër të gjithë subjekteve që kanë shkaktuar dëmtimin e interesave të ligjshme të RTSH, duke mos përjashtuar asnjë autor të përfshirë, që nuk ka respektuar marrëveshjet e nënshkruara me RTSH me rastin e pjesëmarrjeve në Festivalin e Këngës në RTSH. Ju njoftojmë se të gjitha këngët e Festivalit të 58 të Këngës në RTSH janë publikuar në kanalin e dytë të RTSH në YouTube”.