Edhe njëherë për listën e kandidatëve “tradhëtarë”

Edhe njëherë për listën e kandidatëve “tradhëtarë”

Nga Mentor Kikia

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk duhet ta kenë parashikuar “tradhëtinë” masive nga listat e kandidatëve të tyre që nxituan për të zënë karriget që liruan ata. Me këtë rast ne patëm mundësinë të njohim edhe më mirë, edhe më thellë, nivelin e pjesës dërrmuese të njerëzve që kanë mbushur listat e partive, për tu bërë përfaqësues të popullit.

Jo se janë më të mirë ata që ishin nga opozita dhe që janë nga mazhoranca. Pasi ne e dime që në parlament pjesa dërrmuese nuk dinë të bëjnë një diskutim, të mbajnë një fjalim, madje as ta lexojnë kur ua shkruajnë “këshilltarët”. Pale te propozojne nje projekt-ligj.

Falë këtyre listave, parlamenti u mbush me ndërtues gdhë, tregtarë matrapazë, horra, trafikantë. Burra të pasur, gra burrash të pasur, vajza baballarësh të fortë e të lidhur me krimin, dashnore e gra shokësh. Njerëz pa asnjë kontribut politik e shoqëror, që jepin para për të blerë vendin apo sepse mund të siguronin një grusht votash për partinë.

Asnjë deputet nuk është i zgjedhur sot, të gjithë janë të emëruar nga kryetarët e partive, në bazë të votave që ka mbledhur partia.
Por siç thotë populli, e keqja do ta bëjë të sajën deri në fund, deri sa të plasë. Dhe plasi. Listat e opozitës na treguan me zë dhe figurë se çfarë njerëzish partitë i kanë ofruar popullit për ta përfaqësuar.

Tashmë duhet gjetur zgjidhja. Një zgjidhje që më në fund po e artikulon Basha, pasi lista e tij i doli duarsh.
Përmbysje sistemi, zgjedhor dhe politik. Ky i sotmi është më i keqi i mundëshmë pas diktaturës. Duhet rivendosje e demokracisë. Deputetët ti zgjedhë populli, jo kryetari. Kjo duhet të jetë kauza e opozitës tani.

COMMENTS