Dosja me 23 akuzat ndaj “hjeksit” Berisha në ambasadën amerikane! Sot nis gjyqi për vrasjen e Azem Hajdarit: Izet Haxhia kërkon dëshmitar kryesor Sali Berishën

Dosja me 23 akuzat ndaj “hjeksit” Berisha  në ambasadën amerikane! Sot nis gjyqi për vrasjen e Azem Hajdarit: Izet Haxhia kërkon dëshmitar kryesor Sali Berishën

Ish-kryeministri Sali Berisha pritet të japë llogari shumë shpejt për vrasjen e Azem Hajdarit. Me ekstradimin e ish-truprojës së tij, Izet Haxhia nga Turqia, kjo çështje u rivendos në fokus të autoriteteve shqiptare.

Pak kohë më parë Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të pranojë kërkesën e Haxhisë për rigjykim, ndërsa sot do të nisë beteja e tij gjyqësore në Shkallën e Parë. Në Gjykatën Penale të Shkallës së Parë mesditën e sotme do të mbahet seanca e parë gjyqësore për Izet Haxhinë, pas vendimit të Apelit.

Gjatë kësaj seance Haxhia bashkë me mbrojtjen e tij, që përfaqësohet nga avokati Idajet Beqiri, do të kërkojnë që të thirret dëshmitar i parë dhe kryesor Sali Berisha. Një fakt të tillë e pohoi për gazetën “SOT” vetë avokati Beqiri.

Gjatë reagimit të tij, Idajet Beqiri deklaroi se prioriteti kryesor i tij dhe i Haxhisë është që të sigurojnë dëshminë e Berishës sepse sipas tij, ai ka rol kryesor në ngjarje. Ai e akuzoi ish-kryeministrin se është ai që e ka ideuar vrasjen e Azem Hajdarit dhe prandaj do të jetë edhe dëshmitari i parë që do të thirret.

Kërkesa për thirrjen e Berishës si dëshmitar pritet t’i paraqitet sot trupës gjykuese nga mbrojtja e Izet Haxhisë. “Personi i vetëm që jo vetëm ka dijeni, por edhe që ka rol me veprime aktive dhe me veprime pasive në vrasjen e Azem Hajdarit, është Sali Berisha. Dëshmia e tij është çelësi që hap derën e së vërtetës së vrasjes së deputetit Hajdari.

Ndaj në këtë të martë të zezë për Berishën, Izet Haxhia dhe ne, mbrojtësit e tij ligjor, provën e parë që do të kërkojmë në këtë rigjykim të çështjes, është thirrja në gjyq për t’u pyetur me cilësinë e dëshmitarit kryesor që ka dijeni të plotë, e madje që ka rol në vrasjen e Azem Hajdarit.

Ky proces gjyqësor, i cili me siguri do të pafajësoj Izet Haxhinë, do të vërtitet i gjithi me strumbullar të vetëm Sali Berishën, sepse është ai dhe vetëm ai personi që e frymëzoi këtë vrasje, që e nxori në pritë Azem Hajdarin dhe që më në fund, mbuloi të vërtetën e ngjarjes me deklarimet që bëri jashtë sistemit të organeve gjyqësore, madje duke i shpërfillur haptazi ato…

Pas Sali Berishës, do të vinë në sallën e gjyqit edhe personazhe të tjera, të cilat do të dëshmojnë rreth të vërtetës së ngjarjes dhe rolit të të gjithë bashkëpunëtorëve realizues të këtij ekzekutimi mafioz të Azem Hajdarit”, deklaroi Idajet Beqiri.

Kallëzimi tek ambasada e SHBA

Një tjetër detaj mjaft interesant që avokati zbuloi për gazetën është fakti se kallëzimi që Izet Haxhia bëri ndaj Sali Berishës në nëntor të 2018 është edhe në duart e amerikanëve. Në kallëzim Haxhia e akuzon shefin e tij për 23 krime dhe kërkon që ai të dalë para bankës së të akuzuarve.

Por dijeni për këto krime ka edhe ambasada e SHBA sepse kur kallëzimi i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme, është dërguar edhe tek selia e amerikanëve. “E marta e zezë për Berishën dhe vera përvëluese për Bashën, Metën dhe Kryemadhin… Në datën 18 qershor, nis rigjykimi i çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit dhe i përfshirjes në mënyrë abuziviste të Izet Haxhisë në këtë vrasje. Jemi në muajin qershor të vitit 2019.

Ky muaj dhe korriku gjithashtu do të jenë nga më të nxehtat për Shqipërinë, sepse do të kemi “tërmete” të papara në luftën kundër kokave më të larta dhe më të rrezikshme të politikes në vend, të kësaj politike që për plotë 30 vjet e ka nxirë jetën e shqiptarëve. Izet Haxhia ka depozituar tashmë pranë Prokurorisë së Përgjithshme një kallëzim penal voluminoz, i cili ka brenda krime makabër të kryera nga Sali Berisha dhe banda e tij.

Një kopje të këtij kallëzimi e ka në duar edhe Ambasada e SHBA në Tiranë”, tha Idajet Beqiri në reagimin e tij për gazetën “SOT”. /Mimoza Ibra

COMMENTS