Cakaj “në dorë” të Metës, dërgon Sekretarin e Përgjithshëm diplomat në Spanjë

Cakaj “në dorë” të Metës, dërgon Sekretarin e Përgjithshëm diplomat në Spanjë

Gent Cakaj ka filluar lëvizjet në diplomaci, dhe po i duhet të marrë konsensusin e Presidentit Ilir Meta për këtë proces. Për shkak se Meta nuk e njeh si ministër të jashtëm (pasi në këtë funksion ai njeh Edi Ramën të cilin e ka dekretuar), Cakaj duhet ta përcjellë kërkesën përmes firmës së kryeministrit, akt i cili do të “testojë” marrëdhënieve të ngrira President-Qeveri.

Në Spanjë nuk kemi një ambasador, dhe në këtë pozicion Gent Cakaj ka menduar të dërgojë Gazmend Barbullushin. Ky i fundit është Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ-së, që nga koha e Ditmir Bushatit.

Ministri në detyrë, Cakaj ka ndjekur procedurën e zakonshme për t’i Kuvendit një seancë dëgjimore me Gazmend Barbullushin, që ai të jetë ambasador në Spanjë.

“Seancë dëgjimore për emërimin në postin e Kreut e Misionit Diplomatik të z. Gazmend Barbullushi, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, resident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Marokut, në Republikën Islamike të Mauritanisë si dhe Principatën e Andorrës”,-thuhet në dokument.

Seanca dëgjimore do të bëhen nga Komisionin për Politikën e Jashtme, të mërkurën në orë 12. Pas kësaj, kandidatura do t’i kalojë presidentit. Ambasadori emërohet dhe lirohet nga Presidenti i Republikës, jo më vonë se 30 ditë pas propozimit të Kryeministrit.

Ministri i Punëve të Jashtme i paraqet Kryeministrit propozimin për emërimin dhe lirimin e ambasadorit. Përpara emërimit të ambasadorit nga Presidenti i Republikës, Komisioni për Politikën e Jashtme organizon seancë dëgjimore me kandidatin për t’u emëruar ambasador dhe i përcjell Presidentit të Republikës opinionin për kandidaturën e propozuar.

COMMENTS